Oborret e shkollave të Ferizajt shndërrohen në deponi ilegale të mbeturinave
Ferizaj, 24 Shkurt INPO me shqetësim reagon ndaj mosgadishmërisë dhe mungesës së efikasitetit të KRM “Pastërtia” për të mbledhur dhe menaxhuar mbeturinat në qytetin e Ferizajt.
Mbulimi i pjesëshëm i territorit me shërbime pastrimi ka rezultuar në hedhjen e mbeturinave në ambiente të hapura publike dhe në vende që nuk janë të destinuara për mbeturina, siç janë oborret e shkollave. Ambienti i pastër është çështje e rëndësishme për të gjitha vendet, e sidomos lokacionet e afër shkollave dhe brenda tyre. Është e papranueshme që deponi të tilla të mbeturinave të jenë të pranishmë në oborret e shkollave, dhe Komuna së bashku me KRM “Pastërtia” të mos reagojnë për sanimin e gjendjes së krijuar.
Komuna ka për detyrë që t’i krijojë parakushte KRM “Pastërtia” për kryerjen e shërbimeve të pastrimit sipas standardeve të kërkuara. Parakushtet ndër të tjera përfshinë vendosjen e kritereve të pastrimit, caktimin e lokacioneve për kontenjerë, etj. Sipas ligjit të ri për mbeturina, komuna ka përgjegjësi të mëdha në administrimin dhe mbikqyrjen e KRM-ve, gjë që e bën edhe më të rëndësishme rolin e saj në këtë fushë.
Prandaj, kërkojmë nga Komuna që t’i bëjë presion KRM “Pastërtia”, në mënyrë që kjo e fundit të realizoj detyrat e saj në përputhje me ligjin, duke pastruar këto hapësira publike. Krejt kjo për një ambient më të pastër rreth shkollave në të cilat mbajnë mësim fëmijët tanë.





